Prodhuesit e drurit dhe ndërtimtarisë nga Kosova ekspozojnë prodhimet e tyre para zviceranëve

Prodhuesit e drurit dhe ndërtimtarisë nga Kosova po i ekspozojnë prodhimet e tyre në panairin ndërkombëtar “SWISS BAU 2024”, e cila po mbahet në Basel të Zvicrës.

Ky panair nisi nga vizita e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në vend, Rozeta Hajdari, te bizneset vendore. Aty u theksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e sektorit privat në veçanti për prodhuesit me potencial eksporti.

Kryeministri Kurti në panair tregoi se çka ka ndikuar në rritje të eksportit nga Kosova.

“Kryeministri Kurti me këtë rast tha se progresi në demokraci dhe qeverisje dhe stabiliteti institucional kanë reflektuar me rritje të dukshme të eksporteve dhe me investime të huaja” – thuhet në njoftim.

Ndërkaq ministrja Hajdari theksoi se industria e drurit është njëri ndër sektorët strategjik për zhvillimin ekonomik të Kosovës sepse ka potencial për të rritur përfitimet e brendshme nga përdorimi i resurseve vendore. Po ashtu sipas saj, është ndër të vetmit sektorë industrial që kanë kontribut pozitiv në rritjen e inovacionit dhe uljen e deficitit tregtar.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari, duke vlerësuar lartë kontributin e vazhdueshëm të diasporës, kanë bërë thirrje që investimet e tyre potenciale t’i orientojnë në Kosovë. Kurti e Hajdari i kanë siguruar ata për mundësitë dhe përparësitë që ofrohen përmes reformave të ndërmarra nga Qeveria, të cilat mbrojnë dhe trajtojnë barabartë investimet e diasporës dhe ato të huaja.

Panairi “Swiss Bau” do të mbahet deri më 19 janar 2023 në Basel, Zvicër, në të cilin 12 kompani vendore të mbështetura nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) po ekspozojnë produktet e tyre.