Foto: KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë anulon tenderin 18.6 milionë euro për 'Spitalin për COVID'

Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin në 18.6 milionë euro për adaptimin e Klinikës së re Emergjente për nevoja të COVID-19.

Ky tender është anuluar për shkak të mungesës së buxhetit. Anulimi është bërë para hapjes së ofertave, në përputhje e Ligjin për Prokurim Publik.

“Duke marrë parasysh se në buxhetin e miratuar për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt, kërkojmë anulimin e aktivitetit të prokurimit për arsye të mungesës së buxhetit”, thuhej në kërkesën e Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë nën udhëheqjen e Armend Zemaj e kishte shpallur tenderin për adaptimin e Klinikës se Re Emergjente për nevoja të COVID-19 më 23 dhjetor 2020.

Kjo ministri kishte parashikuar të shpenzojë 18,683,463 milionë euro për realizimin e punimeve ndërtimore dhe të infrastrukturës përcjellëse, për vazhdimin e punimeve dhe adaptimin e objektit ekzistues të Klinikës së Re të Emergjencës në QKUK, në spital për menaxhim klinik të rasteve me COVID-19.

Sipas njoftimit për kontratë, punët duhet të përfundonin brenda 5 muajve nga nënshkrimi i kontratës mes kompanisë fituese dhe autoritetit kontraktues.

Ministria kishte kërkuar që operativa në punishte të jetë emergjente, pa ndërprerje 24/7.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 5 korrik 2020, kërkohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për rritjen e kapaciteteve te trajtimit për COVID-19.

“Duke marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë të datës 16 shtator 2020, sipas të cilit projekti i Klinikës Emergjente në QKUK – lejohet të adaptohet për shfrytëzimin e objektit si hapësirë spitalore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, fillimisht është kryer procedura e ri-projektimit sipas nevojave të reja për COVID-19, dhe në bazë të projektit të ri nga Njësia e Kërkesës në MSh është kërkuar procedimi emergjent i aktivitetit të prokurimit, për kontraktimin e një punëkryesi profesional për realizimin e punëve”, vazhdon njoftimi për kontratë.

Tenderi ishte pezulluar në fillim të muajit janar dhe që nga atëherë nuk ka pasur ndonjë vendim të publikuar në lidhje me këtë tender.