Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Anulohet tenderi për ndërtimin e spitalit të Podujevës, në buxhet nuk u planifikua asnjë cent për të

Tenderi për ndërtimin e spitalit rajonal të Podujevës në vlerë mbi 9 milion euro është anuluar sot.

Anulimi i tenderit u bë e ditur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Në ligjin NR 07 L – 041 mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, kemi shkurtim buxhetor, ku nuk përfshihet buxheti për projektin ‘Ndërtimin e Spitalit të Podujevës””, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në fushatën zgjedhore për kryetar të Podujevës pati premtuar se llapjanët do të bëhen me spital rajonal.

“Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye. Një ndër to, është të ofrohet shërbimi sekondar sa më afër qytetarëve dhe të mos ngarkohet QKUK-ja, sepse jo vetëm Podujevës por edhe Prishtinës i mungon spitali i përgjithshëm”, pati premtuar ai.

Mirëpo, ndonëse premtimet ishin dhënë, në buxhetin e vitit të kaluar dhe vitit aktual, ndërtimi i spitalit nuk ishte paraparë.

Në buxhetin e vitin 2020, ishin bartur 200 mijë euro nga viti paraprak për ndërtimin e spitalit të Podujevës.

Ndërsa në buxhetin e vitit 2021 nuk është ndarë asnjë cent për këtë projekt.

Madje, në buxhetin e vitit 2020, kur ishin bartur 200 mijë euro nga 2019, Qeveria nuk kishte planifikuar të ndante asnjë cent për 3 vitet pasuese.