Ministria e Punëve të Jashtme: Gjatë javës së ardhshme riatdhesohen 700 qytetarë

Javën që vjen në Kosovë pritet të kthehen edhe 700 qytetarë që kanë mbetur në vende të ndryshme për shkak të pandemisë COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur, Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Ahmeti ka thënë që qytetarët që do të vinë tash e tutje nuk do të futen në karantinë, por do të vetizolohen.

“Ministria e Punëvë të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nëpërmjet Qendrës së saj Operative dhe misioneve diplomatike, deri më tani ka mundësuar riatëdhesimin e rreth 3000 qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pas lehtësimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë, MPJD vetëm brenda javës që po vjen do t’i riatëdhesoj mbi 700 qytetarë të tjerë. Personat e riatëdhesuar nuk do të futen më në karantinë, por pas kontrolleve mjekësore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të shkojnë në vetizolim në shtëpitë e tyre”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Ahmeti ka thënë se ‘në fund të javës së ardhshme, do të mbesin vetëm edhe rreth 400 kërkesa të tjera emergjente aktive, të cilat me ritmin aktual do të mund të realizohen të gjitha deri në mes të muajit qershor’.

Sipas tij, i gjithë procesi pritet të përmbyllet së shpejti.

Qendra e Studentëve në Prishtinë ka shërbyer si karantinë për qytetarët që ktheheshin nga vende të ndryshme.

Qeveria e Kosovës në kuadër të lehtësimit të masave ka marrë vendim që karantina e vendosur në Qendrën e Studentëve të mbyllet, ndërsa nesër pritet të filloj faza e tretë e lehtësimit të masave.