Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Jashtme nuk e hap kontratën e Gani Jakupit

Ministria  e Punëve të Jashtme ka  sqaruar se kontrata e  Gani Jakupit nuk do cilësohet si konfidenciale.

Ky sqarim është bërë pasi kallxo.com raporton se kjo ministri nuk kishte ofruar qasje në këtë dokument dhe pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi i kërkoj MPJD-së që në mënyrë obligative ta hapë këtë kontratë.

Agjencia për Informim për Privatësi ka insistuar dhe kërkuar nga MPJD-ja që për të mbyllur shqyrtimin e kësaj ankese, MPJD duhet të ofrojë qasje të plotë (kopje fizike apo elektronike) ndaj dokumentit përkatës, respektivisht kontratës së lidhur javë më parë, duke respektuar afatin e përcaktuar në vendimin e 22 dhjetorit të AIP, i cili ka karakter detyrues ndaj MPJD-së.

Pas aprovimit të AIP-së të ankesës të KALLXO.com për t’u qasur në këto dokumente, MPJD ka tha që kjo kontratë është e dhënë e klasifikuar, “sipas Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, paragrafi 4 i Nenit 7; dhe paragrafi 1 dhe 2 i Nenit 8; që ndërlidhet edhe me paragrafin 1.3.1 dhe 1.3.3 të Nenit 4, të këtij ligji,”  duke arsyetuar kështu mosdhënien e qasjes.

AIP-ja ju ka drejtuar MPJD-së që “deri në këtë fazë, e drejta e palës ankuese nuk mund të konsiderohet si e jetësuar, sepse institucioni juaj është obliguar përmes Vendimit A-841/2023 i AIP-së që të ofrojë qasje në kontratat, në këtë rast, sipas pohimit tuaj për ekzistimin e vetëm një kontrate të tillë, e lidhura nga MPJD për shërbimet e lartpërmendura.”

Ka gati një muaj, pa dy ditë, që KALLXO.com ka kërkuar qasje në kontratën e Gani Jakupit dhe këshilltarëve tjerë kulturorë dhe mediatike të kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Ata nuk na kanë dhënë qasje.

Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla- Schwarz nuk tha në KALLXO.com që kjo kontratë është e klasifikuar.

“….Po s’mund të flas për detyrat e tij, kur u publikua pseudo-skandali me Gani Jakupin, u përdor personaliteti i tij, u përdor projekti që ka për ta shkatërruar projektin sepse disa projekte të caktuara bëhen në suaza të caktuara” – shtoi tutje Gërvalla, në intervistë për KALLXO.com më 16 dhjetor.

Ajo ka shtuar se për të ditur se për çfarë detyrash bëhet fjalë duhet të presin derisa të përfundojë projekti.

“Unë nuk mund të flas për detyrat e tij, nuk ka rrogë ai nuk merr rrogë. Ai as nuk merr pagë as nuk është këshilltar i Gërvallës siç është paraqitur në publik. Gani Jakupi si një pjesë e madhe e njerëzve që jetojnë jashtë Kosovës dhe që kanë një qasje të caktuar nëpër qarqe të caktuara ku mund të ndihmojnë më shumë se të tjerët. Ka marrë detyra të vështira” – thotë Gërvalla.

Sipas raportimeve,  Gani Jakupi ka pagë mujore 7500 euro, me një vit kohëzgjatje, që do të thotë 90 mijë euro në vit, dhe e Jakupin që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

“Nuk e dëmtoj projektin për t’iu arsyetuar mediave”- tha diplomatja kosovare. 

Artikulli është edituar në përmbajtjen e titullit dhe paragrafit të parë  për shkak të keqkputimeve në përgjigjet e MPJD-së