Ministri Selimi prezanton projektligjin për avokaturën shtetërore

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka prezantuar projektligjin për avokaturën shtetërore.

Sipas tij, shumë shpejt do te dorëzohet në qeveri, dhe se ky projektligj do të mbrojë shtetin nga paditë.

“Do të dorëzohet në qeveri, dhe është në fazën finale. Për herë të parë është vu në plan qeveritar. E mbrojnë shtetin sa herë që paditet, ky institucion vetëm këto dy vite ia ka mbrojtur shtetit 20 milionë euro. Çdo avokat i shtetit e ka për obligim me denoncu me kallëzim penal keqpërdorim që bëhet. Një tjetër çështje është edhe vlerësimi i riskut të draft kontratave. Me këtë e kemi marrë obligim që të analizohen draft kontratat paraprakisht. Unë jam i lumtur qe me lidershipin e avokatit të shtetit të kemi mundësi me kthy dinjitetin e avokaturës së shtetit”, ka thënë Selimi.

Avokati i shtetit, Sami Istrefi tha se ky projektligj i përmban gjashtë kapituj. Sipas tij, ky institucion duhet të ketë përgjegjësinë në të gjitha përfaqësimet.

“Ka qenë e domosdoshme që të kemi një draft ligj që të kërkojmë nga qeveria për miratim sa më të shpejt. Do të rregullohet edhe një sektor i veçantë i arbitrazhit. Sepse kohëve të fundit është goditur Kosova në procesin e arbitrazhit. Me këtë projektligj do të plotësohet vakuumi institucional që ka qenë për vite të tëra”, theksoi ai./RTV21