Ministri Reka flet për strategjinë për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, i ftuar në Emisionin Jeta në Kosovë, ka folur edhe për strategjinë, që Kosova të fitojë njohjet nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që deri më tani nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Reka tha se gabimi i BE-së fillimisht ka qenë që i ka lënë shtetet të vendosin individualisht për këtë çështje.

“Ne do të mundohemi një herë që ta ndryshojmë pikërisht doktrinën e neutralitetit të Këshillit Evropian, i cili, një ditë pas shpallës së pavarsisë së Kosovës, pra me 18 shkurt 2008, inkuadroi doktrinën e njohjeve individuale të Republikës së Kosovës. Këtu e bëri gabimin e parë strategjik BE-ja, ku si një organizatë multilaterale siç është, aplikoj vendime unilaterale, duke i lënë individualisht shteteve të vendosin e jo kolektivisht” , tha Reka.

Reka po ashtu tha se Kosova duhet të tregojë se nuk mund të mbetet peng i pesë shteteve anëtare të BE-së dhe kështu nuk mund të përparojë në Agjendën Evropianë, në rrafshin politik.

“Qasja e dytë do të jetë një ofensivë lobuese tek këto pesë shtete. Ndoshta deri më tani, lëshimi deri i deritanishëm, ka qenë koncentrimi i lobimit në shtetet më pak rezistuese. Në vend që tërë energjinë, fuqinë diplomatike dhe lidhjet tona t’i koncetrojmë në këto pesë shtete”, tha ministri Blerim Reka.

Emisionin Jeta në Kosovë mund ta ndiqni  këtu: