Blerim Reka: BE duhet ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin

Ish ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë Kurti, Blerim Reka në një shkrim të gjatë në publikuar në profilin e tij në Facebook ka folur për Gjykatat Kushtetuese të Kosovës dhe Shqipërisë në raport me marrëveshjet ndërkombëtare që këto dy shtete i kanë pasur ndër vite.

Sipas Rekës, në Kosovë dhe në Shqipëri, gjatë viteve kishte pasur nënshkrime të marrëveshjeve që ishin kundërshtuar nga zyrtarë të ndryshëm, por që në fund kishin qenë Gjykatat ato që kishin shpallë antikushtetuese marrëveshjen.

Ai ka përmendur marrëveshjen për “Paktin Detar” të Shqipërisë me Greqinë në 2009 që ishte shpallur antikushtetuese si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Gjykata kishte gjetur disa pika që bien ndesh me kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, ndonëse për këto dy çështje ka vendime të Gjykatave Kushtetuese respektive, prapë se prapë edhe Greqia edhe Serbia i kanë hapur këto tema në caqe ndërkombëtare.

“Aq më pak, që BE-ja mund t’u imponojë këtyre dy shteteve aspirante për anëtarësim, që ta shkelin Kushtetutën, e me te edhe vlerën themelore të përbashkët evropiane: shtetin e së drejtës”, ka shkruar Reka në Facebook.

Lexoni më poshtë shkrimine plotë të ish ministrit Blerim Reka:

Marrëveshjet kundër-kushtetuese

Në Shqipëri dhe në Kosovë, pati mospërputhje midis shtetarëve, që kishin nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare dhe gjykatave kushtetuese, që i kundërshtonin ato. Duke i shpallur ato kundër-kushtetuese, gjykatat kushtetuese mbrojtën Kushtetutën, tërësinë territoriale dhe sovranitetin unitar shtetëror.

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, shpalli anti-kushtetues “Paktin Detar”me Greqinë të vitit 2009, duke parandaluar humbjen e ujërave territoriale shqiptare. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, i shpalli kundër-kushtetuese, nenet e  “Marrëveshjes së Brukselit”, që i jepnin fuqi ekzekutive Asociacionit të Komunave Serbe.

Qeveria apo Kuvendi edhe mund të mendonin se nuk kishin gabuar me këto traktate ndërkombëtare, por jo edhe Gjykata Kushtetuese, që mbetet gardijan i kushtetutshmërisë kur në Shqipëri, qe rrezikuar territori dhe në Kosovë, karakteri unitar i sovranitetit shtetëror. Një nga konstitucionalistët kryesor, Kelsen, shkruante se “Territori shtetëror është bashkim juridik dhe jo gjeografik. Është hapësira e vlefshmërisë së rendit kushtetues, kurse sovraniteti është brendia e vetë shtetit. Pushteti ndryshon, por jo edhe shteti”.

Mirëpo, këto ditë, qeveria greke, ri-ngriti çështjen e “12 miljeve detare”, mu para marrjes së vendimit të BE-së, për thirrjen e konferencës së parë ndër-qeveritare për fillim të negociatave anëtarësuese. Ndërkaq, qeveria e Serbisë, kushtëzoi vazhdimin e “Dialogut të Brukselit”, me ri-kthimin e pushtetit ekzekutiv të “Zajednicës”. Pra, që Shqipërisë t’i merren ujërat territoriale të pasura me gaz natyror, kurse Kosova të “bosnjëzohej”; që në ujërat e Shqipërisë të vendosej EEZ greke, kurse në Kosovë “shteti në shtet”, ku ”poëer sharing” do të shndërrohej në ”poëer blocking”. Fuqinë e këtij bllokimi më së miri e dëshmoi së voni vetoja e Republika Srpska në Presidencën e Bosnje Hercegovinës, kundër njohjes së Republikës së Kosovës.

Në rastin e parë, pra një shtet anëtar i BE-së, po ri-aktualizon çështjen tashmë të mbyllur konstitucionalisht,  kurse në të dytin, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, po ri-hapet ajo që ishte mbyllur nga kushtetuesja. Në të dyja rastet, gjykatat kushtetuese, vetëm mbrojtën kushtetutën, duke respektuar kështu sundimin e ligjit, si krye-kriter për anëtarësim në BE.

Është pak për tu besuar, që qeveria e Shqipërisë apo ajo e Kosovës, mund të marrin guximin për ta  shpërfillur verdiktin e institucionit më të lartë për mbrojten e Kushtetutës. Aq më pak, që BE-ja mund t’u imponojë këtyre dy shteteve aspirante për anëtarësim, që ta shkelin Kushtetutën, e me te edhe vlerën themelore të përbashkët evropiane: shtetin e së drejtës. 

Qeveritë janë kalimtare, por jo edhe shteti.