Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Të drejtat e flijuara të njeriut

1.

Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, kur para 72 vjetësh OKB-ja e kishte aprovuar “Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”. Ish Bashkimi Sovjetik dhe ish Jugosllavia kishin abstenuar nga votimi. Dy dekada më vonë, Kombet e Bashkuara kishin aprovuar edhe dy paktet për të drejtat e njeriut, të cilat Kina do i nënshkruante tek pas 32 vitesh, por ende nuk i ratifikoi. Regjimet autoritare u shmangeshin, por as shtetet e tjera “demokratike”, nuk mund të lavdërosheshin për zbatimin e dokumenteve që mbronin të drejtat e njeriut. Deklarativisht, njihej mbrojtja, por realisht vazhdonte shkelja e tyre. Madje edhe nga shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, si Rusia apo Kina, që kishin bllokuar intervenimet ndërkombëtare për të ndaluar shkeljet masive të të drejtave të njeriut, si në Kosovë apo në Siri. Bota e të drejtave të njeriut kishte heshtur edhe para rasteve: Magintsky e Tienanmen. Të drejtat e njeriut ishin sakrifikuar për energji e për tregti. Ato ishin flijuar në emër të “çështjeve më të mëdha”!

2.

Moska dhe Beogradi atëherë, nuk e kishin votuar Deklaratën Universale të OKB-së, sepse filozofia e re e të drejtave të njeriut, nuk u shkonte këtyre regjimeve të vjetra. Ky dokument juridiko-ndërkombëtar, i gjeti dy diktaturat komuniste në përfundim të Gullagut, e të administrimit ushtarak në Kosovë. Diplomatët jugosllav në OKB nuk e kishin votuar dokumentin për të drejtat e njeriut, sepse përfaqësonin shtetin, gjeneralët e të cilëve, pas lufte kishin përgjakur çdo ide të drejtësisë. Junta ushtarake jugosllave, nuk mund të fshihej nga diplomacia e Titos, sepse Kombet e Bashkuara e dinin për përgjakjen e Kosovës, por heshtën. Ashtu siç e kishin heshtur edhe regjimin represiv dy dekadësh të Rankoviqit. Sërish, në emër të “interesave më të mëdha”!

3.

Pra, midis dy dokumenteve bazike të OKB-së për të drejtat e njeriut, Jugosllavia kishte vazhduar me shkeljet masive të të drejtave të shqiptarëve. Deri në vitin 1966, kur ishte aprovuar Pakti për të Drejtat Civile dhe Politike. Gjashtë muaj para votimit të këtij pakti, Tito ishte ngutur të “ndahej” nga politika e Rankoviqit. Zëvendësi i Titos, nuk ishte shkarkuar, jo pse Beogradi ishte i bindur se ky kishte zbatuar politikë anti-shqiptare, por pse në OKB, duhej shitur rrëfimi për shtetin që kishte shkarkuar nën-kryetarin e shtetit, përgjegjës për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve. Pra, para votimit në OKB, Titos i duhej – para ndërkombëtarëve, një shou publik i “Plenumit të Brioneve”, për tu amnestuar për përgjakjen e Kosovës. Me “distancimin” nga kjo politikë shfrarosëse ndaj shqiptarëve, Jugosllavia e djeshme tentoi ti bashkohej “botës demokratike”. Si edhe pasuesja e saj e sotme Serbia, e cila vetëm në vitin 2001, do e ratifikonte këtë pakt të OKB-së. Me një votë e një nënshkrim, Beogradi provoi të shpërlante veten nga regjimi i apart’heidit të Millosheviqit! Kaq për Jugosllavinë e djeshme “liberale“ dhe për Serbinë e sotme “demokratike”. Dje, ndërkombëtarët, e shtynin Kosovën të mbetej brenda të parës, e sot i bëjnë presion të pranojë kompromise të reja me të dytën, pa kërkuar falje Serbia e duke fshehur varrezat masive të shqiptarëve të vrarë. Sigurisht, për hirë të “interesave më të mëdha”!

4.

BE, këtë javë inauguroi një “regjim të ri për të drejtat e njeriut”, sipas modelit Amerikan të “Ligjit Magintsky”- disidentit të vrarë nga regjimi rus; por nuk aplikoi ende sanksione ndaj qeveritarëve serb, për krimet në Kosovë. Zyrtarëve të dyshuar rus u ndalohet hyrja në BE për shkak të involvimit në vrasjen e një disidenti rus, por jo edhe zyrtarëve serb të dyshuar për vrasjen e mijëra civilëve shqiptarë. Sidomos jo të Kryetarit të Kuvendit të shtetit fqinjë, që publikisht kërcënoi secilin që do të tregonte për vendndodhjen e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi! Në vend të saj, shtetet anëtare të BE-së lejuan kalimin nëpër territorin e tyre, të armatimit rus për Serbinë. Pra, të armatimit të shtetit kundër të cilit, BE-ja ka sanksione ekonomike, e dedikuar ushtrisë së shtetit që negocion me BE-në; por nuk i zbaton sanksionet e saj! Mbase edhe kjo në emër të “interesave më të larta”?

Çfarë kuptimi kanë atëherë të drejtat e njeriut, nëse ato flijohen politikisht, e shkelësit e tyre amnistohen diplomatikisht?

 

Blerim Reka është ekspert i Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ai ka qenë Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kandidat për President të Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Integrimeve Evropiane i Kosovës