Ministri Quni: Një vend mik ka shprehur dëshirën të sjellë disa helikopterë ‘Black Hawk’ për Ushtrinë e Kosovës

Kosova ka pasur oferta t’i marrë disa helikopterë, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni në debatin ‘Kallxo Përnime’.

“Është një partner, një vend mik, që ka shprehur dëshirën që menjëherë, brenda 24 orëve, t’i sjellë 6 helikopterë ‘Black Hawk’”, tha ministri Quni përballë Jeta Xharrës.

Sipas ministrit, Kosova nuk i ka pranuar për shkak se për këta helikopterë duhet pasur pilotët, teknikët e mirëmbajtjes, depot e karburantit, duhet pasur sistemet e navigimit, vëzhgimit ajror, sistemin e komunikimit, forcat rezervë, pozicionet që shfrytëzohen në kohë paqe e në kohë lufte.

“Nuk është thjesht vetëm me ble helikopterin dhe me sjell këtu, por kur ta sjellësh këtu ai helikopter të jetë funksional”, theksoi ministri Anton Quni.

Për çështjen e helikopterëve ministri flet në intervistë nga minuta 23:00.