Screenshot nga video e publikuar në faqen e Behgjet Pacollit

Ministri Peci deklarohet pas shpërndarjes së videos ku shihet e mitura duke u larguar me forcë nga lokali

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas publikimit të videos ku shihet një vajzë e mitur, lypsare, duke u nxjerrë me forcë nga lokali në prani të tij.

E mitura është larguar nga kamarieri teksa ajo kërkonte lëmoshë afër tavolinës ku ishte ministri Peci.

Peci ka thënë se distancohet nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, ndaj fëmijëve në veçanti.

Ministri tha se dhe se në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin ai e udhëheq si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë ka njerëz që e përcjellin atë duke e xhiruar vazhdimisht.

“Nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej ‘veprime skandaloze’” – ka thënë ministri.

Ai tutje shton edhe se “I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali”.

Ministri tutje shton se nuk është përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit.

“Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz” – tha Peci.

I pari i Ministrisë së Bujqësisë tregoi se këtë vit 62 milionë euro nuk kanë shkuar në xhepat e atyre që sipas Pecit blinin xhipa të zinj, por te bujqit e vërtetë të Kosovës.

“Kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë” – shtoi ministri në reagimin e tij.

Tutje Peci theksoi se përkrahja për komunitetet joshumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë.

“Dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë” – tha Peci duke shtuar se është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkimlëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale.

“Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë” – tha ministri Peci.

Ai tutje në reagimin e tij foli edhe për Behgjet Pacollin, i cili gjatë ditës pati një postim duke thënë “Bravo Ministër Peci… duhet pasur ndjenjat e ministrit për të mos reaguar përballë një situate ku një vajza e vogël që kërkonte lemoshë u hodh me dhunë nga lokali. Mjerë na”.

Peci ka thënë se përveç edukatës familjare ka diçka që i ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është, sipas tij, modeli i politikbërjes së Behgjet Pacollit përmes, siç e quan Peci, kinse fondacionit të tij.

“Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë” – ka thënë ministri.

 

E mitura nxirret me forcë nga lokali në prani të ministrit Faton Peci