Ministri i Mbrojtjes: FSK është në terren dhe po u ofron ndihmë autoriteteve dhe qytetarëve

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet në shumë pjesë të Kosovës.

Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë në terren dhe po u ofron ndihmën e nevojshme autoriteteve civile dhe qytetarëve.

“Për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e vërshimeve pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë në terren duke u ofruar gjithë ndihmën e nevojshme autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në Skenderaj, Mitrovicë e Istog”- ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai theksoi që janë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave për veprim të menjëhershëm dhe se situata është e menaxhueshme.

“Jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave në gatishmëri për të vepruar në çdo kohë. Situata është e menaxhueshme dhe urojmë që të ketë sa më pak dëme”- ka thënë ministri i Mbrojtjes.