Ministri i Mbrojtjes: Duke qenë të bashkuar mund të arrijmë interesat kombëtare
Në ditën e shënimit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se është e domosdoshme që të rikujtojmë porositë sepse duke qenë të bashkuar, vetëm duke qenë të bashkuar mund të arrijmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, arrijmë të mbrojmë vendin dhe tokën tonë.
“Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizreni më 1878 ka qenë njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit shqiptar si një nga lidhjet më të organizuara politike gjithkombëtare”- ka shkruar Ministri Mehaj në Facebook.
Sot mbushen 145 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek.
“Në një fragment gjatë fjalimit të tij Abdyl Frashëri e thekson qartë qëllimin dhe rëndësinë e arritjes së unitetit mes shqiptarëve, ai shprehej: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. “- thotë tutje Mehaj.
Sipas tij, njëri nga aktet më të rëndësishme të Kuvendit të Prizrenit ka qenë vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.
“Gjithashtu, vetëm në këtë mënyrë ju bëjmë me dije të gjithëve dhe varrosim përgjithmonë ëndrrat dhe idetë që dikush mund të prek pjesë të territorit tonë. Kemi qenë këtu zot shtëpie dhe të tillë do të mbesim”- përfundon shkrimin Mehaj.