Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Gjakovës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Alternativën për Kosovën, sipas të cilit Mimoza Kusari-Lila do të jetë kandidate e LVV-së për kryetare të Komunës së Gjakovës.

“Fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal. Ndryshimet e mëdha për të cilat ka nevojë Kosova, kërkojnë një bashkërendim të reformave e veprimeve të Qeverisë, me një drejtim transformues nëpër komuna”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

“Përmes këtij memorandumi mes subjekteve tona njoftojmë opinionin publik që kandidatja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Gjakovë do të jetë Kryetarja e Alternativës për Kosovën dhe njëherit ushtruesja e detyrës së grupit tonë parlamentar, zonja Mimoza Kusari-Lila”, thuhet më tej në njoftim.

Mimoza Kusari-Lila ka qenë kryetare e Komunës së Gjakovës për një mandat (2013-2017).

Aktualisht është deputete e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.