Michel: Në BE zgjerimi është dhe do të mbetet gjithmonë një proces bazuar në meritë

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në fjalimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, tha se në Bashkimin Europian, zgjerimi është dhe do të mbetet gjithmonë një proces bazuar në meritë, nëpërmjet reformave.

Michel tha se Procesi i Berlinit luan rol të rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke pasur integrimin në BE.

“Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke patur integrimin në BE si dritë orientuese. Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në Ballkanin Perëndimor, e megjithatë ka qenë një rrugë mjaftë e ngadaltë, zhgënjyese për ju në rajon dhe për ne në Bashkimin Europian por tashmë të gjithë e ndjejmë, të gjithë e dimë që është koha për të arritur premisën tonë për të realizuar këtë premtim. Natyrisht na duhet të bëjmë shumë që të jemi gati nga të dyja palët”- tha Michel.

Michel deklaroi se vendet jo anëtare duhet të realizojnë angazhimet e tyre teksa shtoi se BE-ja duhet të përgatitet për të mirëpritur anëtarë të rinj.

“Partnerët dhe miqtë tanë në rajon, ju e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja, duke nisur me reformat e nevojshme, e në BE ne duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarë të rinj. Në mënyrë të përsëritur mendoj, besoj që duhet të jeni gati në të dyja anët, deri në 20230 për tu zgjeruar dhe e di që ky afat është hasur me disa skepticizma në rajonin tuaj sepse keni pritur për një kohë të gjatë dhe e di që keni krahasuar zgjerimin me një nuse, dhëndri i të cilës nuk vie asnjëherë në dasmë. Megjithatë ne po e përgatisim këtë dasmë”- tha presidenti i KE-së.

“Në BE, zgjerimi është dhe do të mbetet gjithmonë një proces bazuar në meritë dhe në fakt, duhet të nisë e duhet ta bëjmë që gjërat të lëvizin duke qenë se është e nevojshme se nëpërmjet reformave nga ana e juaj e gjithashtu edhe nga ana jonë për të nisur debatin serioz për të ardhmen e BE-së”- shtoi ai.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.