QKUK Emergjenca

Mësohet gjendja shëndetësore e të plagosurit rëndë në Prishtinë

Një therje me thikë ka ndodhur orët e mbrëmjes në Prishtinë, në lagjen Arbëria. Lëndime kanë marrë dy persona, njëri nga viktimat ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e kirurgjisë abdominale në QKUK, Ferat Sallahun, i cili ka konfirmuar se viktima është operuar me sukses.

“Mbrëmë e kemi operuar njërën nga viktimat, intervenimi ka përfunduar me sukses dhe tani këqyrim”, ka thënë Sallahu. “Mirë, mirë është personi që është operuar”.

Mbrëmë rreth orës 22:00 një incident ka ndodhur në kryeqytet, ku dy persona pas therjes me thikë kanë mbetur rëndë të lënduar.

Ndërkaq, shefi i ndërrimit të Emergjencës, Naser Sylen mbrëmë ka thënë për KALLXO.com se nga dy të therurit, njëri ka qenë  në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka qenë duke u operuar.

“Dy kanë ardhur në emergjencë të therur me thikë në orët e vona të mbrëmjes se sotme. Njeri nga ta është në gjendje të rëndë dhe kritike dhe është ende në sallë operimi”, ka thënë Syla.

Ai shtoi se personi tjetër i therur ka marrë trajtimin mjekësor dhe është liruar për në shtëpi.