Mësimi nga distanca fillon më 23 mars

Tetë ditë pasi shkollat në Kosovë u mbyllën si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit,  Ministrja e Arsmit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka paralajmëruar fillimin e mësimit online.

KALLXO.com i ka ofruar asistencë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për realizimin e mësimit në distancë.

Sot, Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami tha se mësimi do të fillojë me 23 mars dhe do të transmetohet në mediumin publik, RTK.

“Mësimi në distancë do të fillojë nga data 23 mars dhe do të transmetohet në kanalet RTK1 dhe RTK4 si dhe gjitha këto materiale do të jenë të disponueshme për ju, në një webfaqe të dizajnuar enkas për këtë :eMesimi.rks-gov.net “, tha Bajrami.

“Unë pres nga prindërit, nxënësit, dhe mësimdhënësit bashkëpunim maksimal në mënyrë qëe ky projekt të reflektojë më sukses”, theksoi ajo në fund.

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Ditë më vonë, qeveria shpalli gjendje emergjente në vend ndërsa sot numri i të infektuarve me këtë virus ka shkuar në 20.

Deri më tani, disa komuna kanë filluar me zhvillimin e aplikacioneve për mësimet online.