Shkolla në Smrekonicë - Foto: Facebook

Mësimi "intensiv", nxënësit në Vushtrri mësojnë dhe notohen në gjermanisht brenda dy jave

Vetëm dy javë para përfundimit të vitit shkollor, nxënësit e klasave të gjashta në shkollën “ Enver Hadri” në Smrekonicë të Vushtrrisë kanë mbajtur orët e para të lëndës së “Gjuhës Gjermane”.

Kursin intensiv për këta nxënës e bëri të detyrueshëm mungesa e mësimdhënësve për këtë lëndë. Problemin e njëjtë e patën edhe shkollat “Abdyl Frashëri” dhe ” Liria” .

Prindërit e nxënësve në shkollën “Enver Hadri” kanë thënë për KALLXO.com se fëmijët e tyre deri afër fundit të gjysmëvjetorit, nuk kishin zhvilluar mësim në këtë lëndë.

“Ne deri javën e kaluar as nuk e kemi ditë që fëmijët e kanë këtë lëndë, kemi mendu që është vetëm zgjedhore. Tani, për dy javë i kanë mësuar e notuar fëmijët”, tha njëri nga ta që deshi të mbetej anonim.

Sipas prindit, fëmijët i kanë mbajtur vetëm dy orë dhe kanë arritur të mësojnë vetëm alfabetin në gjuhën gjermane.

Në këtë shkollë vijojnë mësimin 41 nxënës të ndarë në dy paralele të klasave të gjashta.

Drejtori i shkollës, ” Enver Hadri”, Nehat Abazi ka konfirmuar për KALLXO.com se orët janë mbajtur vetëm dy javë para përfundimit të vitit shkollor.

“Po, orët janë mbajtur dy javët e fundit të vitit shkollor nga mësimdhënësja në formën online”, tha ai.

Abazi nuk është përgjigjur në pyetjet rreth mënyrës se si janë vlerësuar këta nxënës.

Në anën tjetër, Drejtori i Arsimit  në Vushtrri, Afrim Namani në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se ata kishin planifikuar që të mbajnë më shumë orë brenda javës në këtë lëndë.

“Është vërtetë se jo vetëm në shkollën e “Enver Hadri” por edhe në dy shkolla tjera kemi probleme me gjuhen gjermane. Kjo ka ndodhur se nuk ka kuadër profesional të kualifikuar për gjuhë gjermane përkundër që tri herë si DKA kemi shpallur konkurs për këtë lëndë por nuk kemi pasur kandidatë të kualifikuar plus që një mësimdhënëse e gjuhës gjermane në fillim të tetorit e ka lënë punën”, tha ai.

Komuna e Vushtrrisë kishte hapur konkurs për tre mësimdhënës të “Gjuhës Gjermane” në verën e këtij viti.

Konkursi ishte zgjatur më pas edhe për tre ditë shtesë.

Nga ky konkurs ishte pranuar vetëm një mësimdhënës pasi që të tjerët nuk kishin plotësuar kriteret.

Për këtë pozitë ishte shpallur përsëri konkurs më 16 shtator  por që për të njejtën arsye ishte anuluar më pas.

Sipas Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, fondi i planifikuar i orëve për lëndën e  “Gjuhës Gjermane” është një orë në javë.

Viti shkollor 2020/2021 në Kosovë kishte filluar në dy faza, më 14 shtator për klasat 1,2,3,4,5,6 dhe ato të 10-ta ndërsa më 21 shtator pjesa tjetër.

Si shkak i situatës me pandeminë COVID-19 mësimi në shkollat e Kosovës është zhvilluar në tre skenarë A, B dhe C varësisht gjendjës nëpër institucionet shkollore.