Foto: KALLXO.com

Mësimdhënësit e shkollës “Hasan Prishtina” në kryeqytet e ndërprenë grevën, sot mbajtën mësim

Mësimdhënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Hasan Prishtina” në kryeqytet kanë ndërprerë grevën dhe kanë filluar mësimin.

Drejtoria e kësaj shkolle  kishte njoftuar dje  se mësimi do të fillonte ndonëse e përkrahin grevën deri në realizimin e kërkesave.

Kështu, gjatë ditës së sotme oborri i shkollës gumëzhinte sa nga nxënësit aq edhe nga prindërit që kanë sjellë fëmijët e tyre.

Foto: KALLXO.com

Një prej këtyre prindërve ishte Ardita, e cila po e dërgonte vajzën e saj në shkollë.

“Kam dy fëmijë që vijojnë mësimin në këtë shkollë, njëri fëmijë është në klasën e katërt, fëmija tjetër tash e ka fillu klasën e parë. Ndihem shumë mirë. Jemi shumë të gëzuar” – tha ajo për KALLXO.com duke shtuar se periudha e grevës kishte qenë e mërzitshme për fëmijët e saj.

“Periudha e grevës për fëmijët ka qenë pak më e mërzitshme sepse u lodhën duke pritur, më në fund filloi (mësimi), mirë është” – vijoi ajo.

E lumtur në këtë ditë ishte edhe Vjollca Haka, nënë e tre fëmijëve.

“Ndihemi shumë mirë, edhe fëmijët janë gëzuar shumë. Vajza e vogël ka hyrë në klasën e parë, është emocion i mirë, e kanë pritur me gëzim” – u shpreh Haka për KALLXO.com.

Ajo thotë se ditët e grevës kishin filluar të bëheshin periudhë monotone dhe stresuese për fëmijët e saj.

“Fëmijët e kanë pasur pak më stresuese sepse e pritën fillimin me dëshirë pastaj ‘jo fillon sot’, ‘jo fillon nesër’. (Fëmijët) e kalonin kohën duke vizatuar në shtëpi, filloi të bëhej edhe monoton. Pastaj gjithë kohën duke i përcjellë lajmet duke pritur se kur po fillon mësimi” – tha Vjollca Haka, e cila u shpreh se dëshira e saj në këtë situatë është që të mos ketë më ndërprerje të mësimit.

“Tash shpresoj që të mos ndërpritet” – përfundoi ajo.

Në lidhje me nisjen e procesit mësimor në shkollën “Hasan Prishtina” u prononcua edhe e para e kësaj shkolle, Sofie Bunjaku.

Ajo shpjegoi se orët mësimore në këtë shkollë kanë zgjatur nga 30 minuta.

“Sot në shkollën tone ka filluar mësimi, Këshilli Grevist me këshillin e arsimtarëve ka ndërprerë grevën  dhe ka filluar procesi mësimor me 30 minuta orën deri në momentin e ndërprerjes së grevës” – shpjegoi Bunjaku, e cila shtoi se nuk ka qenë e informuar më parë për ndërprerjen e grevës në këtë institucion arsimor.

“Unë si drejtoreshë e shkollës nuk kam pasur informatë  paraprake se këshilli grevist dhe këshilli i arsimtarëve do të marrin vendim për ndërprerjen e grevës”- tha Bunjaku për KALLXO.com.

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar nga data 25 gusht dhe është duke vazhduar ende.

Një ndër kërkesat e sindikalistëve është rritja e pagës prej 100 euro deri sa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Në anën tjetër, përkundër që Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të fillojë viti shkollor, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.