Mesazhi i myftiut Tërnava për festën e Fitër Bajramit
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë teksa tha se kjo festë ka në thelb solidaritetin.
Myftiu Tërnava në mesazhin e tij bëri thirrje për paqe në mbarë botën. Ai shtoi se në shumë vende të botës ka konflikte, prej të cilave po pësojnë qytetarët e pafajshëm.
“Pas dy viteve me pandeminë, kësaj radhe Ramazanin që po e përmbyllim dhe festën e Fitër Bajramit po e fillojmë pa masa kufizuese. Është rikthyer atmosfera në shtëpitë tona anë e kënd vendit, shijuam mirësitë qysh e meriton ky muaj i bekuar. Në kohët që po jetojmë njerëzimi si duket ka harruar vlerat shpirtërore, duke e bërë kështu shoqërinë më materialiste, realitet ky që ka sjell konflikte, gjakderdhje, dëbime e shkatërrime në tokë”
“Edhe në këtë natë të madhe në prag të Fitër Bajramit lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë”, tha Tërnava.
Myslimanët në mbarë botën më 1 maj përfundojnë Muajin e Ramazanit.