Mehaj në betimin e 251 ushtarëve të rinj: Jemi të qëndrueshëm si Adem Demaçi dhe trima si Adem Jashari

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, pas nëntë javëve të kursit sot u betuan dhe u certifikuan 251 ushtarët të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë këtu zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendë ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, Gjeneralmajor Enver Cikaqi e të tjerë.

Mehaj mbajti një fjalë rasti, ai përpos urimit që pati për ushtarët e rinj ai tha se janë të qëndrueshëm e të pathyeshëm si Adem Demaçi dhe jemi trima si Adem Jashari.

“Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak. Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm”, thuhet se tha ndër të tjera Mehaj.

Tutje thuhet se Mehaj theksoi se rruga drejtë suksesit është e pamundur pa aleatët e Kosovës, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-në.

“Ne do të kultivojmë gjithmonë raporte të shëndosha, të ndërtuara mbi bazën e sinqeritetit dhe besimit reciprok, sepse mbi të gjitha besimi ndërton aleanca të pathyeshme. Për besimin, për besën jemi të njohur ndër shekuj si popull. Vizioni, misioni dhe amaneti ynë është anëtarësimi i Kosovës në NATO”, thuhet se ka thënë Mehaj.

Kurse, zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kolonel Mehmet Lladrovci,tha se 251 ushtarët e rinj kanë kaluar me sukses të plotë stërvitjen ushtarake bazë.

Pjesëmarrës në ceremoni kanë qenë Drejtori i DIS-it, Gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, Inspektorja Gjenerale e FSK-së, Gjeneralmajor, Irfete Spahiu, ushtarakë ndërkombëtarë, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë të lartë të FSK-së, drejtues komunalë, familjarë e të tjerë.