Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Foto: LSA

Betohet presidenti i ri i Shqipërisë

Pasi u betua në sallën e Kuvendit këtë të diel, presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mbajti fjalimin e tij të parë.

Ai falënderoi për besimin, ndërsa u shpreh se ishte nder dhe përgjegjësi e madhe të ishte qytetar i parë i vendit.

Presidenti i ri tha se njihte, mbështeste dhe respektonte punën e qeverisë, por sipas tij përpjekja dhe dëshira nuk mund të justifikojnë asnjë dështim.

Begaj shtoi se njeh, mbështet dhe respekton gjithashtu dhe opozitën shqiptare dhe vlerat që ajo përfaqëson, por do të çmonte bashkëpunimin para konfliktit.

Ai u zotua se do të insistojë vazhdimisht për gjetjen e gjuhës së përbashkët ndërmjet forcave politike.

“Në fund ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mirë. Ne kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik i cili përbënshtyllën e funksionimit të shtetit dhe shpirtin e harmonisë së një kombi. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës dhe të tashmes, të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë atë me politikën e dialogut dhe bashkëjetesës”, u shpreh presidenti i ri.

Bajram Begaj u zgjodh presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë në muajin prill. Në votimin që u krye në seancën plenare në Kuvend, morën pjesë 83 deputetë.

Ai u zgjodh me 78 vota pro, teksa 4 deputetë votuan kundër dhe pati një abstenim./Euronews.al