Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raportohet betimi i Përparim Ramës më 7 dhjetor, nënkryetari e asamblistët thonë se s'kanë marrë ftesë

Në disa media është raportuar se më 7 dhjetor kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, do bëjë betimin në seancën konstituive të Kuvendit Komunal.

Sipas Klan Kosovës, kjo gjë është deklaruar nga vetë Përparim Rama.

Bazuar në Ligjin për vetëqeverisje lokale, seanca konstituive duhet të thirret shtatë ditë pune para mbajtjes së saj, që do të  thotë se, nëse është thirrur sot duhet të mbahet më 8 dhjetor.

Lidhur me këtë raportim nënkryetari aktual i Komunës, Muhedin Nushi, tha se nuk kanë marrë ftesë për këtë seancë.

Ai shtoi se me Ligj duhet të pritet shtatë ditë pas thirrjes për mbledhjen e Kuvendit Komunal.

“Nuk kam marrë ftesë për seancë konstituive. Me Ligj seanca mbahet 7 ditë pas ftesës, nuk e di nëse do mbahet dhe nuk e paskam dëgjuar ndonjë deklarim të kryetarit të zgjedhur”,  ka thënë Nushi.

Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal, Leutrim Retkoceri, tha se nuk ka marrë ftesë për këtë seancë.

Ai tha se me Ligj duhet të njoftohen një javë para mbajtjes së kësaj seance.

“Nuk kam marrë ende ndonjë ftesë për këtë seancë. Me Ligj ne si Asamble por edhe drejtorët duhet të njoftohemi 7 ditë para mbajtjes së kësaj seance”, tha Retkoceri për KALLXO.com.

Edhe Fitnete Bejta, asambliste nga radhët e AKR-së në Prishtinë, tha se nuk ka marrë ftesë për seancë dhe nuk ka gjasa që kjo e fundit të mbahet para datës 8 dhjetor.

“Jo, nuk kam marrë ftesë. Një seancë e tillë nuk mund të mbahet para datës 8 dhjetor, pasi nëse na dërgohet sot ftesa, seanca mbahet pas 7 ditësh”, ka thënë Bejta.

Gjatë ditës po ashtu u raportua dhe për pozitat e nënkryetarëve në Komunë, ku u përmend Blerand Stavileci i PDK-së dhe Alban Zogaj nga LDK.

Nga PDK është mohuar arritja e ndonjë marrëveshjeje për pozitën e nënkryetarit.

PDK mohon se ka arritur marrëveshje për pozitën e nënkryetarit të Prishtinës

www.kallxo.com