Foto: Zëvendës kryeredaktori i Welt, Robin Alexander në X

Mediat gjermane: Kancelari Scholz del me shpejtësi nga aeroplani pas alarmit për sulm me raketa në Tel Aviv

Mediat gjermane po raportojnë se kancelari Olaf Scholz dhe delegacioni i tij kanë dalë me shpejtësi nga aeroplani pas ndezjes së alarmit për sulm të mundshëm me raketa.

Ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin izraelit, Tel Aviv, prej ku kancelari dhe delegacioni i tij po bëheshin gati të fluturonin drejt kryeqytetit të Egjiptit, Kajro, raporton “Die Welt.”.

Zëvendëskryeredaktori i “Die Welt”, Robin Alexander, i cili ka udhëtuar me kancelarin, bashkë me reporterë të tjerë, tha se atyre iu desh të shtriheshin në asfalt, në pistë, për t’u mbrojtur.

Ai tha se kancelari nuk u shtri por vrapoi drejt një kontejneri aty pranë.

Robin Alexander tha se pa që mbrojtja izraelite u përgjigj për të asgjësuar raketat mbi aeroportin e Tel Avivit.

Kancelari Scholz është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun, të cilit i ka dhënë mbështetje pas sulmit me raketa nga organizata palestineze Hamas.