Mblidhet PDK-ja, diskutohet për akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit e Veselit

Njoftimi i Prokurorisë Speciale se ka dorëzuar një aktakuzë për Krime Lufte ndaj Presidentit Thaçi dhe kryetari të PDK Kadri Veseli ka vënë në lëvizje Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo në të kaluarën është udhëhequr nga Thaçi ndërsa tash udhëhiqet nga Kadri Veseli, të dy këta tashmë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë në Hagë.

PDK ka mbajtur një takim ku kanë marrë pjesë kryesia e partisë, grupi parlamentar dhe kryetarët e degëve.

Sipas këtij subjekti, publikimi i pretendimeve për aktakuzë për dy themeluesit e UÇK-slm nga ana e Prokurorisë Speciale është i paprecedent dhe veprim kundërthënës.

“ Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon “ thuhet në reagimin e PDK-së.

Nga PDK thonë se populli shqiptar ka qenë në anën e duhur të historisë dhe se lufta e popullit e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare.

Ditët në të cilat ndodhet Kosova janë momente vendimtare sipas partisë së Kadri Veselit dhe duhet një mbështetje gjithëpërfshirëse në realizim e nismës së kryetarit të PDK-së Kadri Veseli për intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës për drejtësinë tranzicionale dhe gjetjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kriminelëve që kanë masakruar civilët shqiptarë.

“ Ne ju bëjmë thirrje strukturave drejtuese të partisë, anëtarësisë, qytetarëve dhe të gjitha partive politike që të shfaqin maturi dhe solidaritet, në mënyrë që së bashku ta mbrojmë luftën tonë të drejtë dhe interesin e shtetit tonë “ përfundon reagimi i PDK-së pas takimit të mbajtur me të gjitha strukturat e partisë.

Me datë 24 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Si pasojë e njoftimit për këtë aktakuzë presidenti Thaçi ashtu edhe kryeministri Avdullah Hoti kanë anuluar pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ku pritej të diskutohej për dialogun Kosovë-Serbi.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Njoftimin për aktakuzë prokurori i specializuar deklaron se e ka publikuar pas përpjekjeve për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.