Mblidhen më shumë protestues në Jarinjë - Pamje

Para pak minutave është parë rritje e numrit të protestuesve në afërsi të pikës kufitare Jarinjë.

Të njëjtit i janë bashkangjitur protestuesve të mëhershëm ndërsa nuk po pranojnë të largojnë njërën nga makineritë e rënda në të cilën është vendosur panoja me mbishkrimin “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Meqë marrëveshja parasheh largimin e plotë të barrikadave në këtë mënyrë ende nuk është dhënë urdhri për tërheqjen e forcave policore të Policisë së Kosovës nga e njëjta pike.

Tutje KALLXO.com që po qëndron atje ka parë edhe pjesëtar të njësive speciale të cilët kanë kërkuar nga qytetarët largimin e kamionit por të njëjtit vetëm e kanë lëvizur disa metra por nuk e kanë larguar në tërësi.

Ekipet policore po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikës kufitare Jarinjë ndërsa krah tyre shihen edhe pjesëtarët e KFOR-it të cilët në dy javët e ardhshme do të monitorojnë situatën në këtë pikë.

Ne pikën kufitare Jarinjë u pa edhe helikopteri i KFOR-it i cili po monitoron situatën e krijuar nga lart.

Sipas marrëveshjes të arritur ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, sot në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.