Mbledhja e Qeverisë, Kurti: Nderime heronjve që sakrifikuan për liri, sot jemi më mirë se kurrë

Kryeministri Albin Kurti tha sot (13.06.2024) gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës në 25- vjetorin e çlirimit se Kosova është në gjendje më të mirë se kurrë më parë.

Ai tha se gjithë kjo është arritur falë sakrificës që dhanë heronjtë tanë për çlirimin e vendit dhe ndihmës nga miqtë ndërkombëtarë.

“Në mbledhje po vij nga takimi me diplomatin Walker. Ky njeri i jashtëzakonshëm që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë që po ndodhnin në vendin tonë. Raportet nga terreni shërbyen si thirrje për ndërgjegje ndërkombëtare. Puna dhe përkushtimi i tij ishin për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Falenderim i veçantë për gratë dhe burrat e misionit të OSBE që u angazhuan në këtë mision”- tha Kurti.

Po sipas tij, 25-vjet pas çlirimit vendi ka arritur suksese në të gjitha drejtimet.

Sipas tij, ekonomia e vendit sivjet do të jetë 5 herë e gjysmë më shumë se në vitin 2000.

“Pas më pak se 25 vjetëve, ekonomia është rritur 5 herë e gjysmë. Ndërkaq, krahasuar me vitin që u shpall Pavarësia, bruto produktin vendor do ta kemi gati tre herë më të madh dhe krahasuar me 4 vjet më herët, e kemi sivjet 50 për qind më të lartë bruto produktin vendor. Qytetarët janë më të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë e qeverisja po bëhet përherë e më e mirë”- ka thënë Kurti, duke shtuar se çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare ndër gjenerata, pavarësia, ia kanë vlejtur sot, edhe në aspektin e ekonomisë, ashtu edhe të demokracisë.

Kurti ka falënderuar gjithë ata që kontribuuan për këto arritje.