Begaj: Shqiptarët kemi nevojë të jemi bashkë më shumë se kurrë
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e organizuar në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, ka folur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili i ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë ditë historike, duke bërë thirrje që shqiptarët të jenë të bashkuar kundrejt fushatës së Serbisë, e cila i ka mobilizuar të gjitha kapacitetet për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve.
“Në përvjetor të tillë të shenjt për shqiptarët, ne përulemi ndaj figurave të shquara që me jetën dhe veprën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën dhe historinë e kombit shqiptar. Duhet nderuar arkitektin e pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perendimore. Sot nderojmë Adem Demaçin, sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadan të lirisë së saj. Nderojmë kryetrimin, Adem Jasharin, legjendë e gjallë e atëdhedashurisë, burra të tillë rrallë i lind histori”, – tha Begaj, më 12.06.2024.
Në këtë ditë, ai tha se duhet nderuar të gjithë ushtarët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, që i falën lirisë së Kosovës jetën.
“Amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj. Liria nuk është dhuratë- ajo duhet të mbrohet. Kosova nuk ishte vetë, por qindra vëllezër të tyre nga Tirana, Tropoja, Kukësi, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut dhe gjithë diaspora shqiptare iu bashkuan luftës”, – deklaroi presidenti i Shqipërisë.
Begaj ka apeluar që shqiptarët të jenë të bashkuar.
“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, është shprehur Begaj.
Në këtë seancë solemne po marrin pjesë diplomatë nga shtete të ndryshme.
25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.