Instalacioni: ‘Pakoja e rimëkëmbjes ekonomike’. Foto: Facebook/Arianit Beqiri

Mbi 80 mijë punëkërkues të rinj që nga fillimi i pandemisë COVID-19

Më 13 mars të vitit të kaluar në Kosovë u shënuan dy rastet e para me virusin SARS-COV-2 i, për t’u shpallur disa ditë më vonë edhe si pandemi në botë.

Me shënimin e rasteve të para në vend nisen të aplikoheshin edhe masat e para për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Masa që në fillim përfshinin mbylljen e  shkollave për të vazhduar me mbylljen e bizneseve dhe të gjithë vendit.

Pjesë e vendimeve të miratuar nga qeveria e asaj kohe ishte edhe mbyllja e kafiterive, bareve dhe restoranteve, mbyllja e tregjeve të kafshëve dhe të automjeteve.

Mbyllja e bizneseve dhe “zvogëlim” i qarkullimit ekonomik rezultoi me një rënie ekonomike prej 7% në vend.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte propozuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej 180 milionë euro e cila përfshinte kategori të ndryshme të cilat kishin pësuar nga pandemia COVID-19.

Pjesë e këtyre kategorive ishin edhe punëtorët të cilin kishin humbur vendin e punës, ata do të përfitonin 130 euro për tre muajt në vazhdim. Ndihmë kjo e vetme që përfituan personat e kësaj kategorie.

Një vit pas, numri i personave që kanë humbur vendin e tyre të punës është rritur dukshëm.

Në një përgjigje për KALLXO.com Agjencia e Punësimit të Kosovës ka bërë të ditur se që nga marsi i vitit të kaluar e deri në dhjetor të 2020 janë regjistruar 84 mijë e 884 persona si punë kërkues të rinj.

Muaji prill dhe maj kishin shënuar numrin më të lartë të punëkërkuesve në Kosovë, 32 mijë e 377 dhe 35 mijë e 84.

APRK për KALLXO.com

Më 16 janar të këtij viti Qeveria në detyrë e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte miratuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej 222 milionë eurove.

Ky Program përfshinë mbështetje për shëndetësinë, bizneset, bujqësinë, prodhimin, eksportin, arsimin, kulturën, sportin, bizneset e grave, familjet në asistencë sociale, qytetarët që kanë humbur vendin e punës, si dhe ndërmarrjet publike.

Neni 12 i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike parashihte që qytetarët e sektorit privat, që për shkak të pandemisë COVID-19, kanë humbur vendin e punës, do të kompensohen nga shteti në shumën prej 300 eurove për muaj, për 3 muaj.

Edhe pse mjetet për këtë qëllim janë ndarë, ata ende nuk e kanë marrë ndihmën e shtetit. Sipas Ministrisë së Financave, janë ndarë 10 milionë euro për këtë qëllim, por që për implementimin e tyre ‘ia hedh topin’ një ministrie tjetër.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kishte paralajmëruar vazhdimisht protesta duke konsideruar se “janë më të dëmtuarit”.

Nga nesër Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullim të aktivitetit të gastronomisë, nga 7 prill deri më 18 prill.