A do të përfitojnë pagë punëtorët që u larguan nga puna në periudhën e pandemisë?

Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve, ka dhënë detaje se a do të përfitojnë paga nga Pako Emergjente e Qeverisë, punëtorët që largohen nga puna në këtë periudhë të pandemisë COVID-19.

Sipas Bislimit, këta punëtorë do të përfshihen në masën e tetë të pakos.

“Nëse ka punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës pas shpalljes së masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në mesin e marsit 2020, atëherë këta punëtorë përfitojnë nga masa e tetë e pakos emergjente në shumën e 130 euro për tre muajt e ardhshëm, gjithnjë nën supozimin se në ndërkohë nuk krijojnë marrëdhënie të re të punës”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka bërë thirrje që punëdhënësit sa herë që kanë mundësi, të ruajnë fuqinë e tyre punëtore.

Po ashtu, Bislimi ka bërë të ditur se nga këto masa përfitojnë vetëm punëtorët që janë larguan  nga vendi i punës, si rezultat i vështirësive në përballimin e pandemisë, e jo si rezultat i problemeve të tjera me punëdhënësin.