Ilustrim

Mbyllet gastronomia deri më 18 prill

Shërbimet e gastronomisë obligohen që ta pezullojnë aktivitetin e tyre nga 7 prilli deri më datë 18 prill.

Ky rekomandim i Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu shërbimet do të ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, byrektoreve, qebaptoreve, pikave të shitjes së karburanteve.

Përveç këtij rekomandimi një tjetër masë e miratuar sot është edhe ndalimi i veprimtarisë së qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga dita e nesërme 6 prill deri më 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollim, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Pika 28 e vendimit thotë që shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbimin merr me vete si dhe dërgesë me porosi.

Pika 29 thotë që në hotele dhe akomodime të ngjashme, shërbimi i pijeve dhe ushqimit lejohet vetëm nëpër dhoma.

KALLXO.com gjatë ditës publikoi vendimin e plotë të Qeverisë së Kosovës të miratuar sot nga kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur në objektin e qeverisë.

Të gjitha masat e miratuara të Qeverisë kundër COVID-19

Këtyre masave të miratuara sot i paraprinë numri i lartë i të infektuarve me coronavirus si dhe numri i vdekjeve që janë regjistruar ditëve të fundit në Kosovë.