Mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës në varfëri, presin ndihmën shtetit

Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se muaji qershor i gjeti në varfëri mbi 25 mijë familje, ku numri i përgjithshëm i anëtarëve kalon 100 mijë.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit qershor 2022 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25,444 familje me gjithsej 100,395 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2,612 familje”,, thuhet në njoftim.

Nëse krahasohet me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, bazuar në gjendjen e muajit qershor 2021, pati rënie. Numri i familjeve dhe anëtarëve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 25,805 familje me gjithsej 102,958 anëtarë.

Numri më i madh i familjeve në nevojë është në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 150,910 përfitues, nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 50,207 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3,361 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 64 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 1,871 përfitues, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,257 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 662 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1,796 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 362 përfitues, nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2,646 përfitues, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13,190 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 819 përfitues.

Ndërsa sa i përket fëmijëve të braktisur ASK tregon se gjatë muajit qershor 2022 nuk është raportuar asnjë rast.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për muajin qershor 2022.