Mbanin ilegalisht Kallashnikovë e municion në stane, arrestohet një person, një i dyshuar ftohet për intervistë

Policia e Gjakovës sot ka bastisur dy stane në bjeshkën e Junikut dhe ka gjetur dy Kallashnikovë, 25 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra dhe tre karikatorë për Kallashnikov.

Lidhur me rasti Policia ka arrestuar një person me inicialet Xh.M., ndërsa i dyshuari i dytë nuk ka qenë prezent gjatë bastisjes.

Policia ka njoftuar se për rastin kanë pranuar informata nga terreni lidhur me disa dyshime për armëmbajtje të paligjshme dhe të shtëna me armë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë, pas një pune operativo -hetimore kanë  zbuluar se bëhet fjalë për dy shtetas kosovar me iniciale (Xh. M. viti i lindjes 1954 dhe  Sh .R. viti i lindjes 1960) të cilët posedojnë armë dhe ato i mbajnë  në stanet e tyre në brezin kufitar Kosovë –Shqipëri në vendin e quajtur Pllaçica e Junikut”, thuhet në njoftim.

I dyshuari Xh.M. pas  intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i dytë është ftuar për intervistë nga hetuesit kompetentë për procedurë të mëtejme, thuhet në njoftimin e PK-së.