Mbahet debat për gjetjet e Auditorit në Komunën e Vitisë

Në Asamblenë Komunale të Vitisë është mbajtur debati për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit.

Në debat morën pjesë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti , Astrit Bllaca  nga Auditori i Përgjithshëm , Visar Prebreza dhe Kreshnik Gashi, nga BIRN.

Në këtë debat ishin të pranishëm edhe disa asamblesitë nga Kuvendi Komunal i Vitisë.

Kryetari i Vitisë,  Sokol Haliti ka thënë se kjo komunë së shpejti nuk do të ketë asnjë rekomandim nga ZKA.

“ Së shpejti do të bëhemi komuna e parë që do ti zbatojmë të gjitha rekomandimet nga Zyra Komvëtare e Auditimit. Kjo është një analizë e saktë nga ZKA dhe më duhet ta pranojë. Kemi problematika që janë dualiste  që janë edhe të nivelit qëndror”, tha ai.

Ndërkaq, Visar Prebreza tha se Komuna e Vitisë duhet të fokusohet në përmirësimin e fushës së borxheve.

“ Është befasim për të mirë për shkak se është njëra prej komunave që ka pranuar më së paku rekomandime nga ZKA. I ka vetëm 5 që është jashtëzakonisht pak për nivelin e komunave. Borxhet ndaj komunës kanë pësu rritje të vogël, trendi i borxheve po vazhdon dhe ky është një shqetësim dhe është  një breng që borxhet në të gjitha komunat të kenë një rënie. Por edhe borxhet e komunës ndaj furnitorëve janë shtuar si dhe ka pas vonesa për mos pagim të fakturave për 30 ditë. Në Komunën e Vitisë në vitin 2019 është shpenzuar  98% e buxhetit të investimeve kapitale”, theksoi Prebreza.

Në anën tjetër, Astrit Bllaca nga ZKA  shtoi se ndër problemet e kësaj komunë janë keq klasifikimi i shpenzimeve  si dhe dhënia me qira e pronave.

“ Disa probleme të tjera të cilat i ka gjetur Zyra Kombëtare, përveç atyre që u përmenden janë  keq klasifikimi i shpenzimeve dhe  dhënia me qira e pronave . Te tatimi në pronë i kanë planifikuar  400 mijë euro ndersa i kanë aneksu 430 mijë euro, kjo pasi që ata i kanë marrë të gjithë hapat ligjor, duke i denoncuar përmbaruesit”, shtoi ai.

Asamblisti nga LVV, Jakup Demiri gjatë këtij debati  shprehi shqetësim për problemin e asfaltimit të rrugëvë në këtë komunë.

“ Stubëll-Skifteraj e cila është shtru në muajin nëntor ndërsa unë kam foto të muajit mars që janë disa pjesë të dëmtuara, është edhe rruga në Pozhoran, komuna pati premtuar se do të padis kompaninë, kemi edhe disa rrugë në fshatra”, tha ai.