Arkiv - Pika kufitare e Vërmicës

Masat pakësuan turistët, në tre muajt e parë hynë në Shqipëri më pak kosovarë

Turizmi ende nuk po arrin të kapë nivelet e para pandemisë. 671 mijë shtetas të huaj hyjnë në Shqipëri gjatë tre muajve të parë të vitit, duke mos arritur të tejkalojnë vitin normal të 2019-ës.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5 herë, ndërsa Kosova ka pasur rënien më të ndjeshme me 9,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, sipas shifrave të INSTAT.

Rënia e numrit të vizitorëve kosovarë lidhet edhe me rregullat e forta anti-COVID të vendosura në kufi ku duhej të ishe i vaksinuar me tre doza për të hyrë në territorin e Kosovës.

Shtete të tjera me numër të lartë vizitorësh në vendin tonë janë edhe Italia dhe Mali i zi.

Ndërkohë, sa i përket daljeve gati 1 milionë shqiptarë kanë udhëtuar jashtë vendit në tre muajt e parë, me rritje të fortë nga viti i kaluar, por pa arritur nivelet e vitit normal 2019.

Shumica e transportit është kryer nëpërmjet tokës dhe ajrit, ndërsa sektorit i aviacionit, me shifrat që paraqet është në ditët e veta më të mira duke shënuar një rekord, për numrin e shtetasve që kanë zgjedhur këtë mjet transporti./Top-Channel