Marrëveshja për Sigurime Sociale me Zvicrën hyn në fuqi më 1 shtator

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar qytetarët me vendbanim në Kosovë dhe bashkatdhetarët me vendbanim në Zvicër se Marrëveshja për Sigurime Sociale e lidhur në mes të Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, hyn në fuqi nga 1 shtatori 2019.

Kërkesat mund të paraqiten nga data 1 shtator 2019 ndërkaq, përfitimet mund të merren pas datës 1 shtator 2019.

“Për realizimin e të drejtave nga sigurimi social, të rregulluara më këtë marrëveshje, shtetasit e dy vendeve, për parashtrimin e kërkesave  dhe marrje të informatave më të hollësishme mund të  paraqiten te autoritetet përgjegjëse/organet ndërlidhëse”, thuhet në njoftimin e MPMS-së.

Në Kosovë mund të paraqiten te Divizioni i Pensioneve të Jashtme i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në Zvicër bashkatdhetarët për përfitimet në rast të moshës dhe për trashëgimtarë (gratë e veja, burrat e ve dhe jetimët) mund të paraqiten te Arka zvicerane e kompensimit (Schweizerische Ausgleichskasse SAK).
Ndërsa për përfitimet nga sigurimi i invaliditetit tek Zyra e IV për të siguruarit me vendbanim jashtë vendit (IV-Stelle für Versicherte mit Wohnsitz im Ausland IVSTA).