Foto: CNN

Mark Zuckerberg humb më shumë se 6 miliardë dollarë në pak orë 

Pasuria personale e Mark Zuckerberg ka rënë me më shumë se 6 miliardë dollarë në pak orë, duke e rrëzuar atë në listën e njerëzve më të pasur në botë, pasi shfaqjes së një sinjalizuesi si dhe për shkak të rënies nga sistemi të Facebook dhe platformave të saj të tilla si Instagram, WhatsApp dhe Messenger  për disa orë dje gjatë ditës, shkruan Bloomberg.

Kjo ndikoi që aksionet e gjigantit të mediave sociale të binin me 4.9% ditën e djeshme, duke shtuar një rënie prej rreth 15% që nga mesi i muajit shtator.

Rënia e aksioneve të hënën uli vlerën e pasurisë së Zuckerberg në 121.6 miliardë dollarë, duke e vendosur atë poshtë pasurisë së Bill Gates, respektivisht në vendin e pestë në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg. Sipas këtij indeksi, pasuria e tij është zvogëluar për gati 140 miliardë dollarë brenda disa javësh.

Më 13 shtator, Wall Street Journal filloi të botojë një seri tregimesh të bazuara në një sasi dokumentesh të brendshëm, duke zbuluar se Facebook ishte në dijeni për një gamë të gjerë problemesh me produktet e tij – të tilla si dëmtimi i Instagramit ndaj shëndetit mendor të vajzave adoleshente dhe keqinformimi rreth trazirave  që ndodhën në Kapitol Hillme datë 6 janar – duke i minimizuar këto çështje në publik. Raportet kanë tërhequr vëmendjen e zyrtarëve qeveritarë, dhe të hënën, sinjalizuesi u shpërfaq në publik.

Në përgjigje, Facebook ka nënvizuar se çështjet me të cilat përballen produktet e tij, përfshirë polarizimin politik, janë komplekse dhe nuk shkaktohen vetëm nga teknologjia.

“Mendoj se i jep ngushëllim njerëzve të supozojnë se duhet të ketë një shpjegim teknologjik ose teknik për çështjet e polarizimit politik në Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Nick Clegg për CNN, zëvendëskryetari i Facebook për çështjet globale.

Përktheu: Nuhi Shala