Mariupol mbetet i rrethuar, banorët grabisin mallra në qendrën tregtare

Në një video të publikuar nga BBC, disa ukrainas janë parë teksa po grabisnin produkte të ndryshme brenda një qendre tregtare në qytetin Mariupol.

Njerëzit shihen duke ecur me karroca dhe çanta të mbushura me mallëra, pasi Mariupol ende mbetet i rrethuar nga forcat ruse.

Zyrtarët thonë se banorët kanë nevojë të madhe për ushqim, ujë dhe ilaçe për shkak të bllokadës së qytetit nga Rusia.

Klikoni KËTU për të parë videon.

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është shtyrë, thonë zyrtarë të këshillit të qytetit.

Sipas njoftimit, pala ruse nuk e ka respektuar armëpushimin e përkohshëm në fuqi.

Ky këshill u ka bërë thirrje banorëve që të shpërndahen dhe të gjejnë vende strehimi.

Është dita e dhjetë e luftës në Ukrainë. Makineria ushtarake ruse ka vazhduar me sulme nëpër qytetet kryesore ukrainase. Luftimet janë intensifkuar ndërkohë që më shumë se 1.2 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Invazioni ushtarak i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.