Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet e LDK-së për sundimin e ligjit

Mbrëmë të ftuarit në “DebatPernime” debatuan për “sundimin e ligjit”. Përfaqësuesit e partive të cilët ishin pjesë e debatit, AAK, LDK dhe LVV shpalosën programin e tyre për drejtësinë, luftën kundër korrupsionit, vetingun, Gjykatën Speciale, krimet e luftës, ballafaqimin me të kaluarën dhe tema të tjera.

Edhe pse janë ftuar edhe përfaqësuesit e PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate në këtë përballje të programeve politike për drejtësi por ata e kanë refuzuar ftesën.

Përfaqësuesit e LDK-së në këtë debat ishin Shkëmb Manaj dhe Valdet Hoxha. Të dy kandidatët për deputetë shpalosën premtimet për sundimin e ligjit.

Premtimet e LDK-së për sundimin e ligjit:

  • Shkëmb Manaj (LDK)

– Fuqizimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit

– Ne mendojmë se duhet të themelohet Byroja e Hetimeve mirëpo derisa të themelohet ajo i duhet kohë në mënyrë që të krijohet legjislacioni adekuat. Konsideroj që nuk mund të bëhen hapa të shpejtë në luftimin e korrupsionit nëse tentojmë ta krijojmë këtë Byro të Hetimeve.

– Suspendimi i zyrtarëve të lartë nëse kanë aktakuzë

– Konfiskimi i pasurisë duhet të ndërlidhet me vepër penale. Është e rrezikshme të merremi me këto tema pa u bërë vetingu në drejtësi. Konfiskimi i pasurisë duhet të konsiderohet vepër penale pasi të bëhet vetingu sepse përndryshe do të ishte luftë politike.

– Duhet të ndodhë vetingu në drejtësi dhe siguri. Duhet të përfshihet edhe Gjykata Kushtetuese. KPK, KGJK duhet të përfshihen në procesin e vetingut.

– Brenda 3 muajve do ta procesojmë ligjin, brenda 3 viteve do ta përfundojmë vetingun dhe më pas t’i fuqizojmë mekanizmat e brendshme.

  • Valdet Hoxha (LDK)

– Do të ndërtojmë strategjinë e avancimit në bazë të meritave, t’i japim shanse të gradohen ata që kanë meritë

– Ndërtimi i një baze të të dhënave të integruar të institucioneve të sistemit të sigurisë

– Të ketë suspendim në detyrë në afatin për sa zgjasin hetimet te policët

– Ne nuk do të ndërhyjmë në punën e policisë

– Do të kujdesemi që ta shtojmë buxhetin për policinë

– Veting brenda policisë

– Të sigurojmë buxhet për policinë

– Ligji anti-mafia ka nevojë për amandamentime, aty do t’i japim pavarësi të plotë operacionale hetuesve që do të jenë të ndërvarur nga Prokuroria Speciale. Do të mundësojmë hetime të përbashkëta policëve e prokurorëve.

– Do të krijojmë pavarësi të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar

– Rekrutim të një numri të prokurorëve dhe gjyqtarëve

– Trajnime të përbashkëta të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë sa i përket shpëlarjes së parave

– Fuqizimi i kapaciteteve në Prokurori, Gjykata dhe Polici

– Ne i mbështesim parimet e Fondit Humanitar, të dënuarit për krime të luftës nuk do të jenë bartës të posteve publike

Pjesë e debatit të sotëm ishin: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët folën për “Sundimin e ligjit”.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës ishin kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati do të transmetohet çdo mbrëmje me fillim prej orës 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.