LVV: Zgjedhjet - të paevitueshme, Qeveria e “unitetit” - e rrezikshme

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur mbledhje online me qendrat e partisë..

Sipas një komunikate për media, kryetari i kësaj partie dhe kryeministri  në detyrë, Albin Kurti njoftoi përfaqësuesit e qendrave të Lëvizjes me vendimet që ka marrë Qeveria për ta luftuar coronavirusin.

“Kryetari po ashtu foli edhe për shkarkimet e bordeve dhe zyrtarëve institucional që janë bërë muajt e kaluar, për mocionin e votëbesimit javës që shkoi, dhe për hapat e ardhshëm që ne si organizatë e si struktura duhet t’i ndërmarrim si në aspektin shoqërorë të kujdesit e solidaritetit gjatë konfrontimit të pandemisë ashtu edhe në aspektin politik të situatës së krijuar pas mocionit”, thuhet në njoftim.

Sipas LVV-së, zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas rrëzimit të Qeverisë, janë të paevitueshme.

“Vota e deputetëve me 25 mars kundër Qeverisë në Kuvendin e Republikës është votë që na drejton drejt kutive të votimit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të paevitueshme. Orvatjet e Presidentit për të bërë Qeveri të “unitetit” janë të rrezikshme sepse e shkelin Kushtetutën, gjegjësisht nenin 82 pikën 2 të saj”, thuhet më tej.

“Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër është detyrë e secilit prej nesh të punoj që të rritet organizata jonë. Legjitimiteti buron nga zgjedhjet. Zgjedhjet e fundit i ka fituar Lëvizja jonë e jo partitë e tjera. Nuk mund e nuk do ta lejojmë të vidhet vota për ndryshim. Deri atëherë, kujdes të shtuar e qëndrim të mbarë nëpër shtëpi”, përfundon njoftimi.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua me 25 mars nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës. Mocioni u votua me 82 vota për, 32 kundër, dhe 1 abstenim.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet. Ajo u miratua me 3 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.