Lutfi Haziri - Foto: REL/Official publication

Lutfi Haziri do të udhëheqë shtabin zgjedhor të LDK-së, aktivizohen afër 1,000 veprimtarë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se ai do të jetë udhëheqësi i shtabit Zgjedhor të LDK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Haziri ka shkruar se sonte bashkë me strukturat e LDK-së në Gjilan, kryetarët e nëndegëve, forumin e gruas dhe forumin e rinisë kanë mbajtur takim mobilizues.

“Afro 1000 veprimtarë dhe veprimtare janë aktivizuar, kanë nisur angazhimin në terren dhe po punojnë me entuziazëm të paparë.Prej sonte, e kemi funksionalizuar Shtabin Zgjedhor, të cilit do t’i prijë me kënaqësi drejt fitores së madhe për Gjilanin e Republikën”, ka shkruar Haziri.

Ai ka thënë se lista për deputetë të LDK-së do të jetë reprezentative dhe me integritet të lartë njerëzor e profesional.

“Bashkë do t’i zgjedhim njerëzit më të mirë të Gjilanit. LDK është e madhe. Urime zgjedhjet”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, ende nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jolegjitime zgjedhjen e Qeverisë Hoti.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, i ka takuar të gjitha partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve, por ende nuk është vendosur për datën.

Ndërsa nesër në ora 14:00 mblidhet Kryesia e LDK-së, në të cilen mbledhje pritet të caktohet emri i kandidatit për kryeministër nga kjo parti.