
Isa Mustafa nesër mbledh partinë, pritet caktimi i kandidatit për kryeministër
Nesër në ora 14:00 Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbajë mbledhje.
Në këtë mbledhje pritet të caktohet kandidati për kryeministër nga kjo parti për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Selim Kryeziu, anëtar i Kryesisë së LDK-së. Megjithatë Kryeziu ka thënë se ende nuk dihet saktë se a do të ketë emër për kandidatin.
“Po, nesër në ora 14:00 mblidhet Kryesia. Në ftesën që më është bërë nuk përmenden pikat e rendit të ditës”, ka thënë Kryeziu përmes telefonit.
Ai tha se beson që nesër LDK-ja do ta ketë emrin e kandidatit për kryeministër.
“Besoj që po, nuk është e sigurt, nuk e di me saktësi, por po shpresoj”, tha ai.
Në anën tjetër, ende nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jolegjitime zgjedhjen e Qeverisë Hoti.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, i ka takuar të gjitha partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve, por ende nuk është vendosur data.