Ilustrim, Foto: Facebook / Volodymyr Zelensky

Lufta në Ukrainë: Zhvillimet kryesore në ditën e 26-të të agresionit rus

Sot është dita e 26-të e agresionit rus kundër Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e hershme të 24-shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime nga shumica e vendeve të botës dhe është dënuar gjerësisht.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat e saj nga Ukraina.

Nëse po na bashkangjiteni tani, këto janë zhvillimet kryesore gjatë ditës së sotme në dhe rreth luftës në Ukrainë:

Kievi e ka injoruar një ultimatum nga Moska për ta dorëzuar qytetin e Mariupolit mes alarmit se banorët janë “rrëmbyer” dhe dërguar në pjesë të largëta të Rusisë.

Ukraina ka refuzuar një kërkesë ruse që Mariupol të dorëzohet deri në orën 5 të mëngjesit me orën e Moskës të hënën. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se nuk mund të flitej për ndonjë dorëzim dhe se Rusia ishte informuar për përgjigjen.

Gjeneralkoloneli rus Mikhail Mizintsev u kishte thënë mbrojtësve të qytetit që “t’i ulin armët”. Në një konferencë të dielën, ai shtoi se nëse njerëzit e Mariupolit dorëzohen, korridoret humanitare do të hapen në të dy drejtimet lindore dhe perëndimore nga ora 10 e mëngjesit me kohën e Moskës ditën e hënë.

Presidenti i ShBA Joe Biden do të udhëtojë në Poloni këtë javë për t’i diskutuar përpjekjet ndërkombëtare për ta mbështetur Ukrainën dhe për të “imponuar kosto të rënda dhe të paprecedenta ndaj Rusisë” për pushtimin e saj, ka thënë Shtëpia e Bardhë. Diskutimet do t’i pasojnë takimet e Bidenit në Bruksel me aleatët e NATO-s, udhëheqësit e G7 dhe liderët e BE-së.

Biden do ta organizojë një telefonatë të hënën me presidentin Emmanuel Macron të Francës, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi dhe kryeministrin britanik Boris Johnson.

-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai beson se një dështim për ta negociuar fundin e pushtimit rus do të thotë “një Luftë e Tretë Botërore”. Ai i tha CNN se është “gati për negociata” me presidentin rus Vladimir Putin dhe se “ne duhet të përdorim çdo format, çdo shans në mënyrë që ta kemi një mundësi për të negociuar”.

Zelensky më herët e quajti strategjinë e Putinit një “zgjidhje finale” për Ukrainën. Në një fjalim të pakompromis në Parlamentin izraelit, presidenti i Ukrainës e sfidoi Izraelin për dështimin e tij për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Gjermanisë për ta shpëtuar kryeqytetin Kiev, në një fjalim televiziv drejtuar kombit të hënën. Kiev dikur quhej një “Berlin i ri”, i ngjashëm në frymën e tij të “hapjes, emocioneve, lirisë në sheshe, sinqeritetit të njerëzve, klubeve dhe partive”, tha Zelensky. “Tani Kievi është i mbyllur. Është i heshtur në pritje të një sirene të re sulmi ajror që do t’i detyrojë njerëzit në strehimore. Zelensky e lëshoi një video-klip 20 sekondësh të një sirene sulmi ajror, duke e quajtur atë një tingull që ukrainasit e kanë dëgjuar “për orë, ditë dhe javë”.

Të paktën katër persona janë vrarë pas bombardimeve të shtëpive dhe një lagje tregtare në Kiev, sipas Reuters, duke cituar shërbimin e urgjencës shtetërore. Një video shfaq zjarrfikësit që nxitojnë për t’i shpëtuar njerëzit e bllokuar në rrënojat e qendrës tregtare Retroville në Podilskiy.

Zëdhënësja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, tha se trupat ruse i kishin “rrëmbyer” banorët dhe i kishin dërguar drejt Rusisë. “Disa mijëra banorë të Mariupolit janë deportuar në Rusi”, tha ajo në Telegram. Pas përpunimit në “kampet e filtrimit”, disa ishin transportuar në qytetin rus të Taganrog, rreth 100 km nga Mariupol, dhe prej andej u dërguan me hekurudhë “në qytete të ndryshme ekonomikisht në depresion në Rusi”, tha ajo.

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se Rusia bombardoi një shkollë arti ku ishin strehuar 400 civilë, përfshirë edhe shumë fëmijë. Petro Andrushenko, një këshilltar i kryebashkiakut të qytetit, tha se nuk kishte numër të saktë të viktimave. “Qyteti vazhdon të bombardohet si nga qielli ashtu edhe nga deti,” tha Andrushenko në Telegram.

Dhjetë milionë njerëz – më shumë se një e katërta e popullsisë – janë larguar tani nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë, tha të dielën kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR. Dhe të paktën 902 civilë janë vrarë dhe 1,459 janë plagosur në Ukrainë që nga mesnata me orën lokale të së shtunës, tha zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut. Parlamenti ukrainas thotë se 115 fëmijë ukrainas janë vrarë dhe të paktën 140 të tjerë janë plagosur.

Ambasadori i Kinës në ShBA ka thënë se vendi i tij nuk po dërgon armë në Rusi për përdorim në Ukrainë. Ai tha se Kina po dërgon ushqime, çanta gjumi dhe ndihma të tjera, “jo armë dhe municione për asnjë palë”. Por duke qenë nën presion në një televizion amerikan të dielën, ai nuk e përjashtoi përfundimisht mundësinë që Pekini mund ta bëjë këtë në të ardhmen.

Gjermania ka rënë dakord për një kontratë me Katarin për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) që do ta ndihmojë vendin evropian të largohet nga varësia e tij nga energjia ruse. Mund të duhen disa vite që marrëveshja të hyjë plotësisht në fuqi, sepse Gjermania nuk ka terminale për dërgimin e LNG. Ndërkohë, Arabia Saudite tha se po e shton prodhimin e naftës për ta përmbushur kërkesën globale.

Ministrja gjermane e financave Annalena Baerbock tha se Bashkimi Evropian do ta rrisë ndihmën financiare dhe dërgimin e armëve në Ukrainë. “Ne do t’i rrisim mjetet financiare për blerjen e mallrave ushtarake në 1 miliardë euro, në mënyrë që ta bëjmë të qartë, ne qëndrojmë me solidaritet të plotë në anën e Ukrainës, ne qëndrojmë për mbrojtjen e popullsisë civile në Ukrainë”, u tha Baerbock gazetarëve.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë se një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës është “afër”, pavarësisht skepticizmit të qeverive perëndimore. Por ambasadori i ShBA në Kombet e Bashkuara paralajmëroi të dielën se kishte pak shpresa të menjëhershme për një fund të negociuar të luftës.

Njëmbëdhjetë parti politike ukrainase janë pezulluar për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë, sipas Zelenskiy. Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes së vendit mori vendimin për t’i ndaluar partitë nga çdo aktivitet politik. Shumica e partive të prekura ishin të vogla, por njëra prej tyre, Platforma e Opozitës për Jetë, ka 44 ulëse në parlamentin ukrainas prej 450 ulësesh në total./ The Guardian dhe CNN

Përgatiti: Nuhi Shala