Lufta në Ukrainë - Dita 19

Po vazhdon lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Sot është dita e 19 dhe këto janë zhvillimet e fundit që e kanë karakterizuar ditën e djeshme dhe natën e mbrëmshme:  

Evakuimet e dëshpëruara të civilëve vazhduan gjatë fundjavës, me zëvendëskryeministrin e Ukrainës që vuri në dukje se 140,000 njerëz kanë arritur të largohen nga zonat e konfliktit.

Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake dhe ndihmë për shmangien e sanksioneve, thanë zyrtarët amerikanë ndërkohë që Ambasada e Kinës në Uashington thotë se nuk është në dijeni të kësaj kërkese.

Forcat detare ruse e kanë shkëputur Ukrainën nga tregtia detare duke kontrolluar bregun e saj të Detit të Zi.

Presidenti Volodomyr Zelensky ripërsërit lutjen drejtuar NATO-s për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi, një ditë pasi sulmi shkatërrues me raketa vrau dhjetëra.

Gazetari amerikan i quajtur Brent Renaud u qëllua për vdekje në qytetin Irpin jashtë Kievit, gazetari i parë i huaj që vdiq në këtë konflikt.

Dje, sulmet ajrore ruse goditën një bazë ushtarake afër kufirit të një anëtari të NATO-s  me frikën se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet edhe më shumë.

Sulmet ajrore ruse goditën një bazë të madhe ushtarake pranë qytetit perëndimor të Lviv, i cili është afër kufirit polak, duke vrarë 35 persona dhe duke lënë më shumë se 130 në spital të dielën. Më shumë se 30 raketa të lëshuara nga avionë luftarakë mbi detet e Zi dhe Azov kishin goditur bazën ushtarake, sipas një deklarate të qeverisë ukrainase. Ndërsa Rusia zgjeron ofensivën e saj në Ukrainën perëndimore, Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se “është vetëm çështje kohe para se raketat ruse të bien” në territorin e NATO-s.

Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ekonomike dhe ndihmë ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë dronët, thanë të dielën dy zyrtarë amerikanë. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se zhvillimi i fundit është një “shqetësim” dhe SHBA ia ka bërë të qartë Pekinit se do të ketë “absolutisht pasoja” për përpjekjet “në shkallë të gjerë” në rast se i ofron Kremlinit një zgjidhje ndaj sanksioneve të SHBA. Sullivan do të takohet me homologët e tij në Romë të hënën për bisedime.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podoliak, shkroi në Tëitter se bisedimet mes zyrtarëve ukrainas dhe rusë do të zhvillohen të hënën përmes video-konferencës.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës ka hapur një hetim për tradhti ndaj Galina Danilchenko, kryebashkiaku i sapovendosur i Melitopolit të pushtuar nga Rusia. Danilchenko u vendos si kryetar i bashkisë së Melitopolit pasi kryetari i zgjedhur, Ivan Fedorov, u arrestua nga njerëz të armatosur të premten dhe u akuzua për vepra terrorizmi. Të dielën, Danilchenko tha në një video televizive se “kanalet televizive ruse” do të fillonin transmetimin në rajon.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së madhe tha se forcat ruse kanë bllokuar bregun e Detit të Zi të Ukrainës, duke e shkëputur vendin nga tregtia ndërkombëtare detare.

Stafi në termocentralin bërthamor të Çernobilit është aq i dërrmuar saqë ka ndaluar së kryeri riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të lidhura me sigurinë, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA). Stafi eknik dhe rojet prej 211 sosh nuk kanë qenë ende në gjendje t’i bëjnë ndrrimet e orareve nga objekti që kur forcat ruse hynë në vend. Ukraina arriti ta rifillojë furnizimin me energji elektrike në Çernobil të dielën.

Administrata e qytetit konfirmoi të dielën mbrëma se një kolonë e madhe e ndihmave humanitare të destinuara për qytetin e rrethuar nuk ka arritur dhe ishte ende e bllokuar në Berdyansk, rreth 80 km në perëndim. Qyteti i Berdyansk mbahet nga Rusia. Një banor i Mariupol pikturoi një pamje të zymtë të situatës në qytet përmes një video-ditari të postuar në Twitter, duke thënë se “bota nuk e di se çfarë po ndodh këtu… Ky është tmerr.”/CNN