Lufta në Gaza: Banorët e atjeshëm 'po pinë ujë nga pishinat'

Civilët në Gaza po “pinë ujë nga një pishinë” dhe fëmijët po “qajnë për mungesë buke”, thotë organizatë ndërkombëtare humanitare CARE International teksa kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në territorin palestinez.

Në një deklaratë të martën, CARE International paralajmëroi se “një katastrofë humanitare që po përshkallëzohet me shpejtësi po shpaloset para syve tanë” në Gaza dhe rrezikon të përhapet përtej.

Kjo organizatë ka bërë thirrje për lirimin e pengjeve, një armëpushim të menjëhershëm nga të gjitha palët, rrjedhjen e lirë të ndihmave humanitare brenda Gazës dhe evakuimin e të sëmurëve dhe të plagosurve.

Hiba Tibi, drejtori i organizatës në Bregun Perëndimor dhe Gaza, thotë se “Kolegët e mi në Gaza flasin për pirjen e ujit nga një pishinë, për fëmijët e tyre që qajnë për mungesë buke dhe për netët që janë diçka nga një film horror mes bombardimeve dhe sulmeve ajrore të pandërprera.”

Ashtu si 2.3 milionë banorë të Gazës rreth tyre, ata nuk e dinë nëse do të jenë ende gjallë mëngjesin tjetër, apo edhe orën tjetër. Ky konflikt po vret fëmijë dhe po ua grabit dinjitetin miliona njerëzve./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala