Lituania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Grupi i Miqësisë Lituani-Ballkan Perëndimor i Parlamentit të Lituanisë, kanë zhvilluar vizitë në Kosovë, ku janë takuar me Grupin e Miqësisë Kosovë-Lituani të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, pas takimit Halil Thaçi zëvendëskryesues i Grupit të Miqësisë Kosovë-Lituani tha se takimet e grupit të miqësisë i kontribuojnë zhvillimit të diplomacisë parlamentare në theks të veçantë rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit ndër parlamentar dhe perspektivën e marrëdhënieve dy paleshe me Lituaninë në fusha me interes të përbashkët.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë. Shkëmbyem ide dhe tema për ta konkretizu bashkëpunimin tonë dhe  theksuam rëndësinë e mbështetjes së Lituanisë për anëtarësimin e Kosovës ne Këshillin e Evropës si dhe aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe NATO”, tha Thaçi.

Laima Andrikienė kryesuese e Komisionit, tha se Lituania e ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj 2008.

Ajo ka përmendur mbështetjet që ofrojnë për Kosovën.

“Që nga 24 shkurti po jetojmë në një realitet të ri si rezultat i luftës në Ukrainë dhe jemi mirënjohës dhe qëndrojmë në të njëjtën anë me Kosovën në raport me agresionin rus dhe kundër agresionit rus. Lituania jep mbështetje të plotë përpjekjeve të Kosovës në forcimin e shtetësisë së saj dhe integrimit në komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimin e një shteti demokratik, multietnik e  prosperues”, tha ajo.

Andrikienė shtoi se Lituania e mbështet qëllimin e Kosovës për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Delegacioni ynë e inkurajon Kosovën në zbatimin e reformave thelbësore për integrimin evropian, integrimi ne be sidomos në sundimin e ligjit të drejta themelore drejtësi lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ajo.

Më 12 maj të këtij viti, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.