Osmani në Lituani e përmend aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot gjatë qëndrimit në Lituani, përmendi se pjesë e bisedimeve në takimin me presidentin lituanes, Gitanas Nausėda, ka qenë edhe vullneti i Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Edhe pse prej kohësh ka qenë dëshira dhe vullneti i popullit të Kosovës që ta forcojmë pozitën tonë ndërkombëtare dhe të bëhemi kontribuues edhe më i madh për paqen dhe stabilitetin, situata aktuale e sigurisë në Evropë duhet të shërbejë si një arsye e fortë dhe me kohë për ta shtyrë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike” ka thënë Osmani në konferencë për media, me homologun e saj lituanez.

Ndër të tjera, e para e shtetit të Kosovës ka shprehur mirënjohjen ndaj shtetit lituanes për përkrahjen e Kosovës gjatë shtet-ndërtimit të saj.

“Mbështetja që ju keni treguar sot dhe mbështetja që ka treguar Lituania gjatë luftës sonë për pavarësi dhe shtet ndërtim është një dëshmi edhe për zemrën e madhe të popullit lituanes. Ne mbetemi mirënjohës dhe vazhdojmë të llogarisim te ju” është shprehur ajo.

Gjatë kësaj konference, presidentja Osmani ka kërkuar edhe mbështetje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sot Kosova e ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Osmani në Lituani kërkon mbështetje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në NATO