Vjosa Osmani viziton qendrën e regjistrimit të refugjatëve të luftës në Lituani

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ministren e Punëve të Brendshme të Lituanisë, Agnė Bilotaitė, kanë vizituar qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës në Lituani.

Sipas komunikatës së presidencës, në këtë qendër presidentja ka biseduar me refugjatë ukrainas dhe me organizata humanitare të cilat po i dalin në ndihmë refugjatëve, shumica nga të cilët gra dhe fëmijë.

Presidentja ka përmendur përgjigjen efikase dhe njerëzore të shtetit dhe popullit lituanez ndaj popullit ukrainas dhe në këtë kontekst ka përmendur përvojën e ngjashme të popullit tonë para dy dekadash.

“Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës, gjenocidit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre, prandaj u solidarizuam me ukrainasit, krah të cilëve janë bashkuar të gjithë popujt liridashës të botës”, ka thënë Osmani.

Vjosa Osmani aktualisht është në vizita zyrtare jashtë vendit.