Lista Serbe mirëpret aksionin e Policisë së Kosovë për zbulimin e laboratorit të drogës në kufi me Serbinë

Lista Serbe ka mirëpritur aksionin e Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës për zbulimin e laboratorit të marihuanës në kufirin me Serbinë.

“Lista Serbe e mirëpret aksionin policor nga stacioni i veriut që u krye sot me qëllim të frenimit të krimit në fushën e narkotikëve, i cili në radhë të parë mbron rininë tonë dhe fëmijët tanë nga kjo plagë që shkatërron çdo shoqëri”, thuhet në reagimin e Listës Serbe në Facebook.

Sipas Listës Serbe, “ky veprim ka treguar se punonjësit e policisë së stacionit në Veri kanë aftësi dhe kapacitet për të luftuar krimin”.

“Ne i japim mbështetjen tonë të plotë policisë së Rajonit-Veri që të vazhdojë me veprime të tilla dhe të mos lejojë individë që të kriminalizojnë gjithë veriun me aktivitetet e tyre kriminale ku jetojnë njerëz dhe familje të ndershme”, thuhet tutje në reagim.

Tutje nga kjo parti kanë thënë se mbështesin aksionet profesionale të policisë.

“Duam të bëjmë një mesazh të qartë se sa herë që policia kryen veprime profesionale si kjo, gjithmonë do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla ka thënë se nga një aksion i Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës është zbuluar një laborator i kultivimit të marihuanës, në të cilin janë gjetur mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.