Lirohen nga paraburgimi në Serbi 3 policët kosovarë

Tre policët të cilët tash e dhjetë ditë ishin duke u mbajtur në paraburgim në Serbi janë liruar me vendim të Gjykatës së Kralevës.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate, ndonëse është ndërprerë paraburgimi, procesi ndaj tyre do të vazhdojën pasi iu është konfirmuar aktakuza për armëmbajtje pa leje.

“Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë kundër të dyshuarve B.S., R.Z. dhe S.M. për nga një vepër penale, prodhimi, mbajtja, mbajtja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse trupi jogjykues i Gjykatës së Lartë në Kraljevë konfirmoi aktakuzën kundër të pandehurve të lartpërmendur dhe nxori vendimin me të cilin të pandehurve u ndërpreu paraburgimi” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjatë ditës Fatmir Haxholli, sekretari në zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd kishte njoftuar se policët do të paraqiteshin sot prapë në gjykatë.

“Rrugës drejt Kralevës, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi” – kishte thënë ai.

Policët, sipas autoriteteve të Kosovës ishin kidnapuar më 14 qershor nga ana e forcave të Serbisë.

Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kidnapuar në afërsi të Leposaviqit, përderisa autoritetet serbe po thonë se ata janë arrestuar brenda territorit të tyre.

Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën dyshimin e kryerjes së veprës penale armëmbajtje pa leje, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.